balkaninsight.com

Politikat zyrtare për përkujtimin e luftërave të viteve 1990 minimizojnë ose mohojnë krimet e kryera nga forcat serbe dhe lavdërojnë kriminelët e luftës, thotë një raport i ri nga Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.

Autoritetet serbe po përdorin përkujtimin e luftërave të viteve 1990 për të prodhuar një narrativë populiste krenarie kombëtare dhe viktimizimi për përfitime politike, thotë një raport i ri nga Fondi për të Drejtën Humanitare i cili u prezantua të martën në mbrëmje në Beograd.

“Revizionizmi historik është politikë shtetërore”, thotë raporti, i titulluar “Politika e kujtesës së luftërave të viteve 1990 në Serbi: Revizionizmi historik dhe sfidat e aktivizmit të kujtesës”.

Ai pretendon se që kur Partia Progresive Serbe erdhi në pushtet në vitin 2012, “luftërat e viteve 1990 u bënë pika qendrore e politikës së kujtesës zyrtare”, me politikanët që përdorin një diskurs populist të një “rikthimi në krenarinë kombëtare”.

Zyrtarët kanë përdorur gjithashtu argumentin se “qeveritë e mëparshme dhe komuniteti ndërkombëtar e detyruan kombin serb të ndihej i turpëruar për heronjtë dhe viktimat e tij të luftërave të viteve 1990”, thuhet në raport.

“Heronjtë janë forcat e armatosura serbe, përfshirë kriminelët e dënuar të luftës, dhe viktimat e vetme në kulturën serbe të përkujtimit janë ato serbe”, shton ai.

Partia Progresive Serbe u themelua në vitin 2008 nga politikanë që më parë ishin anëtarë të Partisë Radikale Serbe ultra-nacionaliste, e udhëhequr nga Vojisllav Sheshel, një kriminel lufte i dënuar.

Disa nga anëtarët e Partisë Progresive ishin figura të shquara gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990, si presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili ishte ministër serb i informacionit gjatë luftës në Kosovë.

Raporti thotë se autoritetet serbe fokusohen në dy çështje kryesore për memorializimin – luftën e Kosovës dhe bombardimin e NATO-s në 1999 ndaj Jugosllavisë, dhe Operacionin Stuhia të Ushtrisë Kroate, e cila mposhti rebelët serbë dhe bëri që shumë serbë të largoheshin nga Kroacia në vitin 1995.

“Përkujtimet e këtyre ngjarjeve përfshijnë evente në shkallë të gjerë dhe ceremoni solemne, të ndjekura dhe të organizuara bashkërisht nga Republika e Serbisë dhe Republika Srpska, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në raport.

Përkujtimoret shtetërore të transmetuara në televizion “shoqërohen nga një program i larmishëm, poezi, teatër, folklor dhe dëshmi të viktimave dhe ushtarëve”, shton ai.

“Këto janë disa performanca ngjarjesh të ndryshme, si ajo e një kolone refugjatësh në urën në Sremska Raca në vitin 2020, apo këtë vit në gusht kur në skenë patëm aktorë të shtrirë, si të vdekur, serbë nga Krajina në Kroaci, që është një abuzim shumë i papëlqyeshëm i viktimave”, tha Jelena Djureinoviç, autorja e raportit, në prezantimin në Beograd.

 

Milica Stojanović

26 Tetor
16:35

Beograd