Në Graçanicë dhe Mitrovicë të Kosovës u mbajtën evente për të përkujtuar viktimat e trazirave etnike të vitit 2004, kur 19 persona u vranë dhe më shumë se 900 u plagosën në përleshjet ndërmjet shqiptarëve etnikë dhe serbëve.
18-vjetori i dhunës me motive etnike kundër serbëve në Kosovë më 17 dhe 18 mars 2004 u shënua të enjten në qytetin e Graçanicës me një shërbesë fetare dhe ngjarje përkujtimore të titulluar “Nuk kemi të drejtë të harrojmë”.
Shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, e përshkroi dhunën si “një pogrom të tmerrshëm” dhe “një krim pa dënim”.
“17 marsi nuk duhet të ndodhë më kurrë. 17 marsi duhet të shënohet dhe kujtohet sepse ideologjia e së keqes nuk duhet të lejohet më kurrë, sepse ajo shkatërron gjithçka përballë saj”, tha Petkoviç në ngjarjen përkujtimore.
Trazirat shpërthyen pesë vjet pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në fund të luftës së viteve 1998-1999, mes tensioneve të shtuara nga vrasja e një të riu serb dhe mbytja e tre djemve shqiptarë etnikë, që u pretendua se ishte një krim me motive etnike.
Sipas një raporti të OSBE-së, 19 persona u vranë në dhunën e vitit 2004 – 11 shqiptarë të Kosovës dhe tetë serbë.
Më shumë se 900 njerëz u plagosën, duke përfshirë 65 policë ndërkombëtarë dhe 58 oficerë të Shërbimit Policor të Kosovës, dhe më shumë se 800 ndërtesa u shkatërruan ose dëmtuan, duke përfshirë 29 kisha apo manastire ortodokse serbe, thuhet në raportin e OSBE-së.
Gjykatat ndërkombëtare në Prishtinë ndoqën penalisht disa persona që sulmuan kishat, duke dhënë dënime me burg që varionin nga 21 muaj deri në 16 vjet.
Para ngjarjes në Graçanicë, peshkopi Teodosije i Rashkë-Prizrenit mbajti një shërbesë përkujtimore në manastirin e afërt. Grupe politike, shoqatat e viktimave dhe anëtarët e publikut gjithashtu vendosën trëndafila të bardhë në instalacionin përkujtimor të “Të Zhdukurve” përballë Qendrës Kulturore të Graçanicës.
Faqja e lajmeve KosSev raportoi se një ngjarje përkujtimore u mbajt gjithashtu në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës në Kosovë.
Eventi, i titulluar “Dita kur gjithçka digjej dhe kur kishte heshtje”, përfshinte një shërbim përkujtimor dhe vendosjen e kurorave në monumentin “Engjëlli i Bardhë”, i cili mban emrat e të vrarëve gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.
Një tjetër event do të mbahet të enjten në mbrëmje në Teatrin Kombëtar në Beograd me fjalimin e kryeministres serbe Ana Brnabiç, tha qeveria serbe. Ai do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e dytë të Radio Televizionit të Serbisë.
Graçanicë, Mitrovicë të Kosovës