Në 30-vjetorin e fillimit të rrethimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave të qytetit kroat të Dubrovnikut, aktivistët e të drejtave i kërkuan prokurorisë shtetërore të rihapë hetimet për krimet e luftës të kryera gjatë bombardimit.
Aktivistët e të drejtave të njeriut i bënë thirrje Prokurorisë së Lartë të Shtetit të Malit të Zi të premten të rinisë hetimet për krimet e kryera nga zyrtarë të lartë gjatë rrethimit nëntëmujor të Dubrovnikut nga Ushtria Popullore Jugosllave, i cili filloi më 1 tetor 1991.
“Sulmi në Dubrovnik do të mbetet një pikë e zezë në historinë malazeze të kohëve të fundit dhe është përgjegjësi e vendimmarrësve të tregojnë përkushtimin për identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për vuajtjet e njerëzve të pafajshëm”, tha në një deklaratë OJQ-ja Qendra për Edukim Qytetar me qendër në Podgoricë.
“Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit ka shpërfillur të gjitha provat që janë mbledhur dhe ka trajtuar si të pakuptimtë të gjithë faktet që tregojnë përgjegjësinë komanduese dhe përgjegjësinë politike për krimet”, shtoi ajo.
Si pjesë e Jugosllavisë, Mali i Zi mori pjesë drejtpërdrejt në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit, megjithëse nuk pa asnjë konflikt në tokën e vet.
Rrethimi i Dubrovnikut ishte operacioni më i madh ushtarak në të cilin u përfshinë ushtarë malazezë. Ai kishte për qëllim të mbështeste pakicat serbe në Kroaci, të cilët ishin rebeluar kundër shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia.
Qyteti i vjetër i Dubrovnikut, i cili është një vend trashëgimi botërore nga UNESCO, pësoi dëme të konsiderueshme gjatë bombardimeve.
Në vitin 2000, Milo Djukanoviç, atëherë kryeministër i Malit të Zi, i kërkoi zyrtarisht falje Kroacisë për vuajtjet dhe humbjet që shkaktuan ushtarët malazezë, veçanërisht në zonën e Dubrovnikut.
Drejtuesja e OJQ-së Human Rights Action, Tea Gorjanc Preleviç, gjithashtu theksoi të premten se asnjë procedim penal nuk është nisur në Malin e Zi për krime lufte të kryera gjatë rrethimit të Dubrovnikut.
Gorjanc Preleviç tha për gazetën Vijesti se “kundër civilëve u kryen krime dhe se prona private dhe publike u shkatërrua pa nevojën ushtarake për ta justifikuar këtë. Fatkeqësisht, prokuroria hesht.”
Që kur u bë i pavarur në 2006, Mali i Zi ka mbajtur vetëm tetë gjykime për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, por vetëm autorë të nivelit më të ulët janë ndjekur penalisht.
Në progres raportin për Malin e Zi për vitin 2020, Komisioni Evropian përsëriti paralajmërimet e tij se krimet e luftës duhet të jenë një përparësi e lartë për prokurorët ndrësa vendin bën progres në bisedimet e pranimit. Ai gjithashtu i bëri thirrje Malit të Zi të zgjerojë fushën e ndjekjeve penale.
“Deri më tani, kundër të dyshuarve për krime lufte, nuk janë ngritur akuzat për përgjegjësi komanduese, bashkëkryerje dhe ndihmë dhe mbështetje”, vuri në dukje progres raporti.
Në korrik të këtij viti, Prokurorja e Lartë e Shtetit të Malit të Zi Lidija Vukceviç paralajmëroi se ka mungesë të vullnetit politik për të ndjekur penalisht krimet e luftës, duke theksuar se prokuroria ka nevojë për mbështetjen e autoriteteve për të sjellë çështjet në gjyq.
Samir Kajošević